Sezoni futbollistik 2023/24, mund të konsiderohet i mbyllur për Nicolo Fagiolin. Pasi Prokuroria e Torinos kishte nisje një hetim ndaj lojtarit të Juventusit që në muajin Shtator, për shkak se kishte luajtur baste online në platforma të paligjshme, pak ditë më parë, lojtari shkoi dhe u dorëzua vetë në Prokurori, duke pranuar akuzat e ngritura ndaj tij.
Me pranimin e fajit, mesfushori, shpreson në një ulje të dënimit, që për të tilla shkelje, sipas rregullores, parashikohet me 3 vite pezullim nga aktiviteti. Megjithatë, sikurse raportojnë mediat përtej detit, Fagioli shpreson të gjejë një gjuhë të përbashkët me Prokurorinë dhe dënimi të reduktohet. Sido që të shkojë, sipas raportimeve, sanksioni nuk mund të jetë më pak se një vit për personazhin në fjalë.
Në kushte si këto, në pritje të përgjigjes në rrugë zyrtare, ky sezon futbollistik për Fagiolin ka përfunduar që në hapat e parë dhe si pasojë, lojtari nuk do të jetë më nën urdhërat e trajnerit Massimiliano Allegri, me trajnerin livornez që ka humbur një lojtar të formacionit bazë.