Prania e CR7 po ndikon “negativisht” në skuadrën e Al Nassr

Sport

Të paturit në skuadër një futbollist si Cristiano Ronald, aq sa mund të jetë një garanci suksesi, është njëkohësisht edhe një presion shumë I madh, saqë mund të ndikojë “negativisht” në pjesën tjetër të ekipit. Pikërisht kjo është duke ndodhur në skuadrën e Al Nassr.

Futbollistët e klubit saudit, kanë nisur të besojnë se që prej mbërritjes së Cristiano Ronaldos, skuadrat kundërshtare kanë filluar të mobilizohen më tepër dhe janë më të vështira për t’u mundur. Një gjë e tillë nuk po ndikon aspak pozitivisht në radhët e lojtarëve të drejtuar nga Rudi Garcia.

I këtij mendimi është Luiz Gustavo, mesfushori, që u bashkua me Al Nassr në verën që lamë pas.

“Prania e Cristiano Ronaldos na e ka vështirësuar më tepër situatën, pasi të gjitha skuadrat përpiqen të organizohen në mënyrën më të mirë të mundshme përballë tij. Jo vetëm kaq, por prania e tij në fushë, motivon edhe kundërshtarët që të japin gjithmonë më te mirën nga vetja”, janë fjalët e 35 vjeçarit.

CR7 ka luajtur dy ndeshje deri më tani në kampionat me skuadrën e Al Nassr, teksa ka mundur të shënojë vetëm një gol, nga pika e bardhë e penalltisë.