Bie në pranga ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Klodian Duro. Në bazë të njoftimit të lëshuar nga Policia e Tiranës, ish-mesfushori, i cili vitet e fundit ka ndërmarrë edhe karrierën si trajner, është arrestuar ‘për shkelje të urdhrit të mbrojtjes dhe për kanosje’.
Konkretisht, 43-vjeçari sipas burimeve pranë policisë së kryeqytetit, është denoncuar nga ish-bashkëshortja, e cila kërkoi ndihmën e policisë që të ndërhynte. Burimet thonë se elbasanasi ishte divorcuar me partneren dhe për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta, teksa ajo kishte marrë edhe një urdhër mbrojtjeje. Por një ngjarje e ndodhur ditët e fundit ka sjellë arrestin e ish-lojtarit.
JA NJOFTIMI I LESHUAR NGA POLICIA:
Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr.2 është arrestuar në flagrancë shtetasi K.D., 43 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, duke thyer urdhrin e mbrojtjes e marrë nga ish-bashkëshortja e këtij shtetasi, ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj si edhe e ka përndjekur në menyrë të vazhdueshme
Materialet proceduriale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë për veprat penale “Dhuna në familje”, “Përndjekja” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimet e gjykatës”.