Portugali, Sportingu siguron në javën e fundit, titullin e 21 në histori

Sport

Sportingu i Lisbonës është sërish kampion i Portugalisë. Është dashur të luhet java e fundit në kampionatin portugez, për të vendosur se cila skuadër do të ngrinte lart trofeun, teksa deri para nisjes së javës së 34-t, Sportingut dhe Benfika vinin në kuotë të barabartë pikësh. Të vetdijshëm se kishin edhe ndeshjet direkte në favor të tyre, ‘luanët’ e Lisbonës ia dolën të shfrytëzonin mbështetjen e publikut në ‘Jose Alvalade’, duke mposhtur 2-0 Vitoria Guimaraes, me gola të Pedro Goncalves dhe Viktor Gyokeres. Ndërkohë që Benfika nuk shkoi më larg se  një barazim 1-1 në transfertën nda Bragas, edhe pse këta të fundit luajtën 25 minutat e fundit me një lojtar më pak.

Për Sportingun, ky është titulli numër 21 në historinë e klubit. Vlen të theksohet se ky titull, vjen duke konfirmuar atë të një viti më parë, teksa skuadra kryeqytetase ka rezistuar në krye të renditjes, pavarësisht largimit të trajnerit Ruben Amorim në mesin e sezonit. Për herë të parë pas 71 vitesh, Sportingut ia del të fitojë 2 tituj radhazi, çfarë shënon ‘një faqe të artë’ në historinë e klubit. Edhe pse në distancë të konsiderueshme nga numri i titujve të fituar nga Benfica apo Porto, Sportingu në dy vitet e fundit ka arritur të thyejë dominimin e dy klubeve që konsiderohen si më të mëdha, ndërkohë që synimi i drejtuesve, është të vijojnë projektin po në të njëjtin drejtim.

Lojtarët e drejtuar tashmë nga Rui Borges, do të kenë mundësinë të fitojnë edhe një tjetër trofe, teksa më 25 maj, luajnë finalen e ‘Kupës së Portugalisë’ ndaj rivalëve të përjetshëm të Benfikës.