Portugali, Sportingu në kërkim të qetësisë dhe rikthimit në luftën për titull

Sport

Sportingu

Një sfidë për të rifituar qetësinë kështu e ka cilësuar Jorge Jesus përballjen e së hënës me Tondelan në Primeira Liga. 18-herë kampionët e Portugalisë vijnë pas angazhimit në Evropë ku fituan 3-1 transfertën e largët me Astanan në Kazakistan. Përballë në kampionat kanë një skuadër të freskët fizikisht dhe që nuk ka luajtur që prej 9 shkurtit. Humbjet me Estorilin dhe Porton në Kupë nuk janë kalaur lehtë në Lisbonë. Kritika pafund ka pasur për lojtarët dhe sidomos për Fabio Coentraon. Për këtë të fundit Jorge Jesus ka thënë se sulmohet nga tifozët vetëm për faktin se më parë ka luajtur me Benfican. Distanca me Dragojtë e Portos dhe Benfikën është 5 dhe 3 pikë, kështuqë nuk tolerohen hapa falsë. Sportingu nuk fiton një titull kampion që prej vitit 2002 dhe presioni ndihet edhe në Presidencë. Numri 1, Bruno de Carvalho ka nxitur një cështje më vete teksa u ka kërkuar komentatorëve të mos dalin më nëpër studiot televizive e të komentojnë për Sportingun, gjë që nuk është pritur aspak mirë nga ata. Për sfidën me Tondelan mungon sërish Bas Dost. Holandezi vazhdon të jetë i lënduar dhe po kështu është edhe Podence. Statistikat flasin për vetëm 5 përballje mes të dyja skuadrave ku Tondela nuk ka fituar kurrë. Sporting fitonte 4-1 transfertën e vitit të kaluar. Këtë vit problemi i vetëm është lodhja dhe presioni mediatik, gjë që Jesus ka thënë se do ta luftojë në fushë.