Edhe pse me shumë vështirësi, Portugalia arriti ta fitojë ndeshjen e dytë të grupit B kundër Marokut. Goli i Cristiano Ronaldos rezultoi vendimtar për takimin, ndërsa të shumta ishin kontestimet e marokenëve për këtë sfidë. Sidoqoftë vëmendja maksimale shkoi edhe njëherë te ylli portugez, pasi të mërkurën ai shkroi një tjetër kapitull rekordesh. Ai në Luzhniki ishte goli i 85-të me fanellën e kombëtares dhe kështu 33-vjecari la prapa një legjendë të futbollit evropian si Ferenc Puskas. Hungarezi mbante rekordin me më shumë realizime për një përfaqësuese evropiane gjatë periudhës 1945-56.
Pas këtij rekordi të radhës, Cristiano vendoset sërish në të tjera pjedestale. Rivali i tij i kësaj kohe të futbollit, Lionel Messi ka shënuar 64 gola me Argjentinën. Sidoqoftë si Leo, po ashtu edhe Ronaldo kanë një tjetër kundërshtar kur vjen puna për më shumë realizime në rang kombëtaresh, ai quhet Ali Daei, i cili me Iranin në periudhën 1993-2006 ka realizuar 109 herë. Ndërkohë janë shuar përfundimisht diskutimet për sa i përket gjestit të Ronaldos pasi shënoi ndaj Spanjës. Përkëdhelja e mjekrës nuk i adresohej Messit, por faktit se 33-vjecari, në diskutime me Quaresman, kishte vendosur që nëse do të shënonte ndaj “La Rojas” do ta mbante mjekrën përgjatë gjithë kampionatit botëror, dhe kështu po ndodh.