Porto synon sot t’i përgjigjet Benficas dhe të rimarrë kreun e kampionatit portugez, kjo përmes një transferte disi të vështirë sikurse është ajo me Belenensesin. Benfica fitoi në fundjavë dhe aktualisht mban vendin e parë me 71 pikë, 1 më shumë se sa Porto, për këtë Conceicao ka kërkuar përqendrim maksimal, pasi i gjithë presioni bie mbi ta sa herë që ata luajnë më vonë ndeshjet e kalendarit. Por situata nuk është aspak e qetë. Akuzat se portieri Vagner i Boavistës e la vetë ndeshjen kundër Portos e ka indinjuar tejmase trajnerin e dragojve. Përmes një konference për shtyp ai ka kritikuar të gjithë klimën antisportive që po shoqëron kampionatin. Conceicao ka theksuar se në këtë gjendje ka ndikuar edhe sistemi VAR, gjithmonë i kontestuar. Për sa i përket përballjes me Belenensesin, Porto vjen pas fitores 2-0 me Boavistën, që ishte përgjigjia më e mirë pas asaj humbjeje me Ferreiran. Pikërisht kjo humbje ka rihapur kampionatin dhe synimi për dragojtë është që të shkojnë me të paktën 3 pikë avantazh në super-sfidën me Benfican, parashikuar për t’u luajtur më 15 prill. Për klubin nga periferia e Lisbonës synimi është krejt tjetër. Skuadra e drejtuar nga trajneri i ri Silas kërkon të grumbullojë pikët e nevojshme për të qëndruar në Primeira Liga. Statistikat tregojnë se në 5 përballjet e fundit, ata ja kanë dalë të marrin 3 barazime, çka u jep atyre shpresë.