Portugali, Porto humbet sërish, Benfica siguron kreun

Sport

porto
Tjetër ndalesë e Portos në Primeira Liga. Skuadra e Sergio Conceicaos ka vënë seriozisht në diskutim titullin kjo pasi u mund sërish në transfertë, kësaj radhe 2-0 nga Belenenses. Dragojtë ishin totalisht të pafat pasi nuk mundën të konkretizonin asnjë aksion të tyrin, ndërsa për klubin nga periferia e Lisbonës shifrat i zhbllokoi Nathan në pjesën e parë, pas një gafe totalisht të pashpjegueshme nga mbrojtja e Portos. Në një luftë nervash dhe me shumë agresivitet Conceicao kërkoi reagimin nga të tijët, por Belenenses u mbyll mirë në portë. Në fakt nga një shpërqëndrim i tillë erdhi edhe ndëshkimi i radhës.

porto2

Në pjesën e dytë Maurides realizoi me kokë në një përgjumje që pati mbrojtja e 27 herë kampionëve të Portugalisë. Shifrat 2-0 më pas nuk u ndryshuan dhe Belenenses mori 3 pikë me vlera për luftën për mbijetesë, ndërsa Porto e sheh veten të zbresë në vend të dytë, 1 pikë prapa Benficas, që tanimë ka shanse reale për t’u shpallur sërish kampione. Kjo në fakt ishte ndalesa e dytë në tre ndeshjet e fundit dhe konfirmon faktin se dragojtë gjenden në krizë. Por ndërsa për Porton ishte mbrëmje për t’u harruar, nuk mund të ishte dhe aq për Iker Casillasin. Sergio Ramos përmes një postimi në twitter theksoi se spanjolli luajti të hënën ndeshjen e 1000-të në karrierë. “Bravo që ia arrite ta realizosh ëndrrën tënde” lexohej mes të tjerash në postimin e kapitenit të Realit.