Portugali, Porto feston titullin e 28-të kampion në hsitorinë e klubit

Sport

PORTOCEL

50 mijë spektatorë zhurmuan me festë Do Dragaon të dielën, jo prej fitores 2-1 ndaj Feirenses, por për titullin kampion. Një titull që Porto e priste prej 5 vitesh. Vetëm 4 orë u deshtën që të gjitha biletat të shiteshin, ndërsa ultrasit iu ngjitën shkallëve të stadiumit që në drekë megjithëse ndeshja luhej në mbrëmje. Në fakt festa nisi që mbrëmjen e së shtunës pas barazimit pa gola në derbin e Lisbonës Sporting-Benfica, që i dha matematikisht titullin skuadrës së Sergio Conceicaos. Pas tre sezonesh pa asnjë sukses dhe pas shumë ndryshimesh në stol, Porto ngriti lart trofeun e 71-të në historinë e klubit. Ky i këtij sezoni ishte kampionati i 28-të dhe vjen duke prishur një dominancë absolute të Benfikës. Conceicao fiton trofeun e parë si trajner pas 7 vitesh përvojë. Një eksperiencë e nisur fillimishte te PAOK-u si drejtor Sportiv e më vonë te Standard Liege, Olhanense, Coimbra, Braga, Vitoria Guimaraes, Nantes dhe në fund Porto, klubi aq shumë i dashur për të, që i dha kënaqësinë e përvojës së parë si futbollist profesionist në vitin 1993. Veterani i skuadrës, Iker Casillas ishte në formacion në 30 ndeshje këtë sezon dhe festoi si titullar trofeun e parë larg Madridit duke mbyllur një pritje 3-vjeçare për atë çka ishte suksesi i 23-të në karrierë. Një karrierë që thuhet se nuk do të përfundojë megjithëse në qershor atij i mbyllet kontrata me Porton.