Sot në Jose Alvalade, riavli i radhës për Sportingun është Moreirense. Luanët e Lisbonës kërkojnë të mbajnë ritmin dhe të vazhdojnë duelin me Benfikën për t’i mbetur prapa Portos kryesuese. Skuadra e Jorge Jesus aktualisht ka pasur probleme me lodhjen, por objektivi është i qartë, fitorja. Që pas 11 shkurtit, grupi ka luajtur 4 ndeshje, 2 prej të cilave në Europa League kundër kazakëve të Astanas. Ndërkohë Moreirense ka zhvilluar 2 ndeshje më pak dhe ka pasur mjaftueshëm kohë për ta përgatitur këtë sfidë. Së bashku me 5 skuadra të tjera, djemt nga Moreira luajnë për mbijetesë. Ata janë të fundit dhe kanë 19 pikë, 3 më pak se Aves që mban vendin e 13-të. Jesus në konferencën për shtyp përpara takimit ka thënë se nuk do t’i nënvlerësojë kundërshtarët edhe pse me shumë gjasa do të aplikojë një rotacion. Moreirense nuk fiton ndaj Sportingut që prej vitit 2003 ndërkohë në Lisbonë vëmendja shkon te dueli me Porton që do të diskutohet më 2 mars. Dragojtë kanë një kryesim prej së paku 5 pikësh dhe përballja me ta pritet të jetë vendimtare. Problem aktualisht paraqet krahu i djathtë i mbrojtjes ku Piccini dhe Ristovski kanë pasur probleme fizike. Në diskutim është angazhimi i Bataglias në këtë rol, ndërsa në sulm sërish mbetet për t’u parë aktivizimi apo jo i holandezit Bas Dost që mund të kursehet për sfidën me Porton.