Portugali, 7 javë si 7 finale, derbi dhe përballje direkte mes Portos, Benfikës dhe Sportingut

Sport

Primeira Liga00

Pas 27 javësh të luajtura, Primeira Liga hyn në fazën vendimtare të saj. Benfika dhe Sportingu synojnë të përmbysin nga kryesimi Porton e Sergio Conceicaos. Dragojtë mbajnë vendin e parë me 70 pikë, 2 më shumë se Benfika e Rui Vitorias dhe 5 më tepër se Sportingu i Jorge Jesus. Në lojë janë edhe 7 javë, prej të cilave lufta për titull pritet të bëhet më e zjarrtë pasi parashikohen të tjera duele direkte. Më 15 prill në Da Luz luhet super-sfida Benfica-Porto. Prej 2 vitesh kjo përballje nuk nxjerr fitues duke u mbyllur gjithmonë barazim. Shqiponjave u duhet medoemos fitorja, ndërsa dragojve u vlen edhe 1 pikë. Benfika dominon futbollin portugez në 5 vitet e fundit dhe vjet shijoi kampionatin e 36-të të historisë së aj. Nga ana tjetër Porto 27 herë kampione nuk i gëzohet titullit që prej vitit 2013-të. Humbja me Ferreiran pak javë më parë, mbetet e vetmja humbje për këtë sezon, për këtë Conceicao ka bërë thirrje për përqendrim maksimal në mënyrë që kampionati të mos u ikë nga duart. Pikërisht kjo gjë mund të ndodhë nëse ata nuk marrin pikë ndaj Benfikës. Ndërkohë nga ky duel mund të përfitojë Sportingu që mund t’i afrohet më tepër kreut. Luanët, 18 herë kampionë, nuk e fitojnë titullin prej vitit 2002. Për të mbetur në lojë ata nuk duhet të humbasin asnjë sfidë, përfshirë këtu edhe derbin e 6 majit me Benfikën dhe nga ana tjetër të shpresojnë në dy ndalesa të shqiponjave dhe Portos. Matematikisht çdo gjë është e hapur dhe 7 javët pritet të jenë 7 finale.