Portugali, 50 huliganë sulmojnë skuadrën e Sportingut, lëndohet Bas Dost

Sport

sporting
Arrin kulmin konflikti mes ultrasve të tifozerisë dhe klubit të Sportingut. Pasditen e së martës 50 huliganë të maskuar mësynë akademinë dhe sulmuan skuadrën teksa po stërvitej. Tejet agresiv, ata i vunë flakën ambientit të dhomave të zhveshjes dhe sulmuan fizikisht trajnerin dhe disa lojtarë. Jorge Jesus, Acuna, Rui Patricio, William Carvalho, Battaglia dhe Bas Dost u lënduan. Pamjet e holandezit me plagë në kokë bënë menjëherë xhiron e rrjetit, ndërsa policia bëri të mundur arrestimin e të paktën 21 prej huliganëve. Tifozët kanë shfaqur shenja pakënaqësie pas rezultateve të dobëta, faktit se Sportingu humbi luftën për titull dhe po kështu edhe vendin për në Champions League.

50 sporting

Humbja 2-1 ndaj Maritimos shumfishoi mllefin. Luanët e Lisbonës nuk e fitojnë kampionatin që prej vitit 2002. Këtë sezon megjithatë fituan Kupën e Ligës, ndërsa të dielën diskutojnë finalen e Kupës së Portugalisë kundë Desportivo Aves, finale që pas këtyre ngjarjeve vështirë të luhet me përqendrimin e duhur. Skuadra qëndroi e ngujuar në ambientet e akademisë deri në mesnatës, atëherë kur një grup tjetër tifozësh dolën t’i mbështesin. Marrëdhënia e tensionuar me ultrasit u shënua pas eliminimit nga Europa League. Ishte Presidenti Bruno De Carvalho i doli kundër skuadrës. Por kësaj here përballë kësaj dhune ai i ka dalë në mbrojtje. “Përtej qëndrimeve apo kritikave të mia, kjo është familja ime, dhe nuk mund të rri pa thënë gjë teksa ata dhunohen, ky është një krim, s’ka lidhje me sportin” ishin fjalët e numrit 1 të klubit.