Sportingu i Marcel Keizer shënoi një fitore të rëndësishme 3-0 ndaj Bragas, ndërsa Porto vazhdoi ecurinë pozitive duke i ushtruar presion Benficas në krye të kampionatit portugez. Në Jose Alavalade të Lisbonës, përballë Bragas, Sportingut i duhej me patjetër fitorja për të mbetur në lojë për kupat e Evropës. Pas disa zhgënjimesh në seri, ku humbja 4-2 në derbin me Benfican shkaktoi mjaft telashe, në fundjavë skuadra reagoi mirë. Bruno Fernandes në pjesë të parë u shoqërua nga një dygolësh i Bas Dost në pjesën e dytë. Pavarësisht humbjes që Luanët e Lisbonës kishin pësuar edhe në Europa League gjatë mesjavës, rezultati 1-0 me Villarrealin, u kalua disi nga kjo fitore e pastër 3-0 në kampionat.
Falë këtij rezultati Sportingu shkon në kuotën e 45 pikëve dhe e shkurton në 4 distancën me Bragën e vendit të tretë. Ndërkohë më herët Porto i Sergio Conceicaos fitoi 2-0 ndaj Setubalit në shtëpi. Hector Herrera shënoi që në minutën e 15-të duke i dhënë qetësi skuadrës së tyre. Por problem për Dragojtë ishte lëndimi i Danilo Pereiras që në minutën e 20-të. Angazhimi në Champions League kundër Romës, dukej se kishte lodhur disi skuadrën. Në Pjesën e dytë, Otavio pati gjithashtu probleme, ndërsa Soares dyfishoi shifrat duke arkivuar fitoren e 17-të në kampionat, fitore që e ngjit Porton në kuotën e 54 pikëve.