Portland Trail Blazers kanë siguruar finalen e ‘Konferencës së Perëndimit’ për herë të parë që nga viti 2000. Të udhëhequr si gjithnjë nga dyshja Damian Lillard e CJ McCollum, Blazers mposhtën në ndeshjen e shtatë skuadrën e Denver Nuggets me rezultatin 100-96. Edhe pse ndeshja luhej në shtëpinë e këtyre të fundit, tek Portland ishin të vendosur për të shijuar finalen pas 19 vitesh. Lideri i skuadrës, Lillard, ishte pranë realizimit të një ‘triple-double’ me 13 pikë, 8 asiste dhe 10 rikuperime të topit nën tabelë. Ndërsa CJ McCollum ishte shënuesi më i mirë i ndeshjet me 37 pikë, rekord personal sa i përket ndeshjes së shtatë të një serie në ‘play-off’. Tek Denver, Nikola Jokic realizoi 29 pikë dhe 13 rikuperime të topit nën tabelë, por serbi gaboi në një nga goditjet e lira në fund të takimit, çfarë rezultoi t’i kushtonte jo pak skuadrës së Denver.

Emocione të jashtëzakonshme kishte në sfidën tjetër, atë mes Toronto Raptors dhe Philadelphia 76ers. Një dy pikësh në sekondën e fundit nga Kawhi Leonard, i siguroi Torontos kalimin në finalen e ‘Konferencës së Lindjes’, pasi triumfuan me rezultatin final 92-90. 41 pikë, 3 asiste dhe 8 rikuperime të topit nën tabelë, ishin statistikat që plotësuan një paraqitje epike të Leonard, ndërsa Joel Embiid i Philadelphias nuk ia doli të përmbante lotën pas këtij eleminimi në sekondat e fundit të ndeshjes.