Portieri zgjedh të luajë, përpara ëndrrës-Champions!

Sport

Etrit Berisha ka zgjedhur si përfundim SPAL-in, duke hequr dorë nga ëndrra e pjesëmarrjes në Champions League me Atalantën. Kështu, në bazë të informacioneve që vijnë nga mediat italiane, bergamaskët kanë gjetur akordin me skuadrën nga Ferrara për transferimin e portierit të Kombëtares shqiptare. Bëhet fjalë për kalmin nga një skudër që u rendit në 4-shen më të mirë të Serisë A, tek një ekip që lufton për mbijetesën në Serinë A. Gjithsesi, për Berishën duket se ka luajtur rol vendimtar fakti se me SPAL mund të luajë më shumë, sesa arriti me Atalantën gjatë sezonit të fundit. Portieri shqiptar ka luajtur 18 ndeshje sezonin e shkuar, ndërsa tani në aventurën e tij të re në Ferrara mund të ketë më tepër hapësira, përderisa i është garantuar të paktën si fillim fanela e titullarit. Të enjten priten vizitat mjekësore të prishtinasit dhe firma e tij në kontratë. Me largimin e Vivianos i cili u rikthye në Sporting, SPAL-i ka kërkuar që vendin e tij ta zërë pikërisht shqiptari, që është pjesë e Kombëtares së drejtuar nga Edy Reja.

Gardiani 30-vjeçar u bashkua me Atalantën nga Lazio në vitin 2016 për shumën e 5 milionë eurove, por në edicionin e fundit ai e humbi vendin e titullarit gjatë pjesës së dytë të kampionatit, përdiersa Pierluigi Gollini ishte në formën më të mirë dhe u bë portieri i parë i Atalantas. Tashmë, SPAL bëhet ekipi I trete me të cilin Berisha do të luajë në kampionatin italian të Serisë A.