Etrit Berisha pritet të bëhet së shpejti me skuadër të re. Portieri shqiptar ka humbur vendin e titullarit te Atalanta dhe ka kërkuar largimin nga klubi. Edhe pse ekipi i tij ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, prishtinasi dëshiron largimin. Etriti nuk luan një ndeshje zyrtare që nga marsi i vitit të kaluar ndaj Andorrës, pasi te Atalanta trajneri Gasperini ka zgjedhur Gollinin si titullar dhe nuk beson më te gardiani kuqezi. Kështu që ikja është zgjedhja e vetme për portierin 30-vjeçar. Interesim në adresë të tij ka shfaqur skuadra tjetër e Serie A, Spal. Madje duket se klubi i Atalantës është duke u bërë gati për një shkëmbim lojtarësh me Spalin. Bergamaskët janë duke kërkuar mbrojtësin Manuel Lazzari dhe për të është gati ta dërgojë Berishën tek Spal. Megjithatë nuk përjashtohet që Etriti të vazhdojë karrierën edhe jashtë Italisë, me klubet franceze që shpesh kanë qenë të interesuara. Gjithsesi, portieri shqiptar ka një përvojë jo të vogël në futbollin italian, pasi më parë ka mbrojtur edhe për Lacion gjatë viteve 2013-2016.