Portieri i Milanit, Mike Maignan: Ibra është e shkuara, në skuadër ka liderë të tjerë

Sport

Portieri i Milanit, Mike Maignan është i mendimit se skuadra kuqezi nuk ka nevojë për ndihmën e Zlatan Ibrahimoviç. Në prag të ndeshjes së kthimit ndaj PSG në Champions League, e vlefshme për javën e katërt të grupeve, francezi është pyetur se ekipi nuk e vuan mungesën e lojtarëve lider në dhomat e zhveshjes.

“Unë si Ibrahimoviç? Jo, unë jam Mike Maignan dhe çdokush ka treguar karakterin e tij. Unë bëj atë që mund të bëj dhe nuk shoh për role të tjera. Unë jam një lider i lindur dhe përpiqem të bëj më të mirën time në këtë aspekt.

Ibra nuk është më pjesë e skuadrës. Ai ishte një lider, por skuadra vijon të jetë e fortë. Ka të tjerë elementë në atë rol dhe duhet të shohim përpara. Unë shumë respekt për Zlatan, por e shkuara mbetet e shkuar”, ka thënë Maignan.

Milani po kalon një moment aspak të mirë, si në kampionat, ashtu edhe Champions League, megjithatë, sipas portierit ne fjalë, kriza nuk është prezente në ambientin kuqezi. 28 vjeçari ka deklaruar se ekipi duhet të mbledhë energjitë dhe të shohë përpara, në synimin e rezultateve pozitive.