Porrini: Ja përse Rangers besoi tek Kamberi…

Sport

Sergio Porrini është i bindur se Florian Kamberi do të bëjë atë që duhet për të siguruar qendrimin përfundimtar në radhët e Rangers. Ish-mbrojtësi italian i bluve skocezë, por që tashmë është në rolin e asistentit të Edi Rejas në përfaqësuesen shqiptare, ishte një nga njerëzit që punoi për të afruar sulmuesin në Kombëtaren tonë. Porrini ka qenë ai që kontaktoi me futbollistin dhe e bindi të bëhet pjesë e kuqezinjve, të cilëve iu bashkua në takimet e fundit të 2019-s. Në një intervistë, ish-futbollisti i Juventusit ka treguar si bindi lojtarin dhe se si të gjithë në stafin e përfaqësueses ishin të bindur se ai ka potencial të madh dhe do të bëjë shumë mirë me fanelën kuqezi.
“Ideja i erdhi në fillim trajnerit tonë, Edi Reja, ai është personi që i merr të gjitha vendimet. Por të gjithë e shihnim potencialin e tij. Meqë kam qenë me Rangers për katër vite nga 1997 deri 2001, unë mund të flas anglisht ndaj më takoi mua të kontaktoja me të. Si rrjedhojë, unë u takova me Florianin disa herë që të flisja me të rreth kësaj ideje dhe gjithashtu me babanë e tij. Ai u shfaq shumë i interesuar menjëherë për propozimin dhe kur u bë e qartë se sa shumë dëshironte që ta realizonte, nuk kishte më dyshime”, tregoi Porrini, i cili tregoi se aktivizimi i tij me fanelën kuqezi po vonohet pak, për shkak të burokracive dhe një dëmtimi të lehtë. Megjithatë, stafi është besimplotë se ai do të ketë një impakt të madh për Shqipërinë në të ardhmen.
Sulmuesi 24-vjecar u bashkua me blutë e Gllasgou në ditën e fundit të merkatos së janarit, përmes formulës së huazimit deri në fund të sezonit. Gjatë prezantimit të tij , Kamberi e konsideroi ardhjen te skuadra e Gerrard si një ëndërr të realizuar dhe i vlerësoi tifozët e Rangers si më të mirët në botë. “Ai është serioz dhe profesional. Si në futboll, ashtu edhe në sektorët e tjerë të jetës, është normale të kesh ambicje dhe ëndrra. Kamberi synon të përmirësojë veten si lojtar dhe Rangers mund ta ndihmojë për ta bërë realitet një gjë të tillë. Bëhet fjalë për një nga klubet më të famshëm në botë dhe si i tillë e nxit lojtarët për të arritur nivele të larta. Arsyeja përse e morën Florianin është sepse ata kanë shikuar dicka tek ai, që i bën të besojnë se mund të arrijë standarte të larta. Ndërsa vetë them se vetë Kamberi do të bëjë gjithcka për të shfrytëzuar këtë shans që i është dhënë, për të qendruar përfundimisht me Rangers, përderisa është tepër i talentuar”, përfundoi Porrini.