Paul Pogba nuk do të kërkojë largimin nga Manchester United, të paktën jo që në janar. Kështu pretendoi të enjten Daily Mail e cila theksoi se te “Djajtë e Kuq” tashmë duket se është vendosur “paqe” mes francezit dhe trajnerit Jose Mourinho. Megjithatë bisedimet rreth së ardhmes janë bllokuar, të paktën deri në verë. Fillimi i sezonit ishte nga më të vështirët e këtyre viteve të fundit për 25-vjecarin, por edhe për United-in në tërësi. Me plot ulje-ngritje, por edhe me rezultate zhgënjyese si ajo me Brighton, “Djajtë regjistruan” nisjen më të dobët të sezonit për dy dhjetëvjecarët e fundit. Pogba u vu në qendër të vëmendjes pas disa deklaratash që vinin në diskutim vendimet e Mourinhos.
Ky i fundit iu përgjigj mediatikisht duke këmbëngulur se gjërat që kishte Pogba nuk duhej t’i thoshte nëpër intervista, por t’ia komunikonte direkt atij. Këtu mediat spekuluan për një largim të mundshëm, ndërsa agjenti i Pogbasë, Mino Raiola rendi të organizonte një lëvizje të beftë me destiancion të mundshëm Barcelonën. Gjithsesi sipas Daily Mail, dallga tashmë duket se ka kaluar. United refuzoi bisedimet me Barcën, ndërsa francezi thuhet se ka pranuar të mos lëvizë nga Old Trafford, të paktën deri në fund të këtij sezoni. Mesfushori që kushtoi plot 100 milionë euro dy vite më parë, aktualisht e sheh vlerën në merkato të reduktuar, megjithatë fakti se ka një kotnratë deri në 2021 e bën United-in e qetë për investimin. Barca apo klube të tjera duhet të hedhin para të majme për francezin, gjithmonë nëse Raiola nuk nxjerr ndonjë surprizë nga të tijat.