Paul Pogba kërkon largimin nga Manchester United. Ashtu siç ishte aluduar prej kohësh, kampioni i botës me Francën është i tunduar nga ideja e transferimit tek Barcelona. I shtyrë edhe nga agjenti i tij, Mino Raiola, siç raporton edhe “Daily Mail”, 25-vjeçari u ka treguar lojtarëve të tjerë të “djajve të kuq” dhe drejtorit ekzekutiv Ed Woodward, se dëshiron të largohet drejt Barcelonës.
Katalanasit u paraqitën në zyrat e Manchester United me një ofertë konkrete për Pogba pak ditë më parë. Oferta konsistonte në 50 milionë euro, plus kartonat e Andre Gomes dhe Yerry Mina, ky i fundit një objektiv i pëlqyer nga ana e trajnerit të United, Jose Mourinho. Megjithatë kjo ofertë u refuzua shumë shpejt nga ana e anglezëve, që fillimisht e konsideruan të pashitshëm lojtarin. Por tani që në lojë vihet edhe dëshira e vetë Pogba, tek “djajtë e kuq” kërkojnë të bëjnë llogaritë, për të përfituar sa më shumë nga shitja e tij.
Në Spanjë ndërkohë spekulohet se Pogba e ka arritur akordin personal me Barcelonën. Palët mendohet të kenë rënë dakord për një kontratë 5-vjeçare, ku francezi do të përfitojë rreth 20 milionë euro në sezon, për një shifër prej 100 milionë eurosh deri në fund të kontratës.
Paul Pogba u bë pjesë e Manchester United në verën e vitit 2016, kur u transferua nga Juventus për shifrën e 105 milionë eurove.