Pochettino sqaron situatën e Eriksen

Sport

Pak ditë pas finales së humbur në ‘Champions League’, Christian Eriksen deklaroi se po mendonte të niste një aventurë të re në karrierë. Këto deklarata nuk u pritën keq nga ana Tottenham dhe e tifozëve të klubit, që e vlerësojnë lojtarin për kontributin e tij gjatë këtyre viteve. Megjithatë për momentin ende nuk ka ndonjë lëvizje konkrete për danezin, që përflitet se është edhe objektiv i Real Madrid, në rast se nuk arrihet tek Paul Pogba. Së fundmi, trajneri i Tottenham, Mauricio Pochettino ka folur rreth situatës së mesfushorit të tij, ku sigurisht deklaroi se shpreson që Eriksen të ndryshojë mendje e të qëndrojë përsëri me skuadrën e tij.

Pochettino pranoi se ka patur disa oferta për danezin, por që nuk kanë qenë të mjaftueshme, as për klubin dhe as për vetë lojtarin 28-vjeçar. Pasi deklaroi se mund të niste një aventurë të re, mediat flisnin se danezi kërkonte një transferim tek Real Madrid, diçka që nuk duket si mision i pamundur. Nga ana tjetër, Tottenham ka qenë mjaft aktive në merkaton të hyrje dhe së fundmi flitet se londinezët do të bëjnë një ofertë fillestare për 60 milionë euro për Gareth Bale të Real Madrid. Ky lajm u hodh poshtë nga ana e agjentit të lojtarit, që sqaroi se deri më tani nuk ka patur asnjë kontakt me ndonjë skuadër. ‘Spurs’-at kërkojnë të shfrytëzojnë problemet e uellsianit me trajnerin e ‘los blancos’, Zidane apo edhe me drejtues të skuadrës, për ta rikthyer sërish në Angli për një shifër mjaft të leverdisshme.