Gusht 2012, Korrik 2023. 11 sezone të lavdishme, të mbushura me trofe, me çdo titull të mundshëm të fituar, dhe në fund, u largua si një legjendë. Fjala është për Cesar Azpilicueta, i cili këtë verë, i dha fund aventurës së tij me Chelsean.
“Është e vështirë ta përshkruaj me fjalë se si ndihem. Ka qenë një rrugëtim i jashtëzakonshëm. Është shumë e vështirë të zgjedh momentin më të mirë të këtyre viteve, por triumfin në Champions League në Porto, do ta zgjidhja si më të veçantin. Ai ishte edhe titulli im i parë si kapiten. Chelsea është shtëpia ime dhe gjithmonë kështu do të jetë. Uroj që një ditë të rikthehem sërish këtu, me një tjetër detyrë.”
508 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet, 9 trofe të fituar, 17 gola, e 56 asiste me fanellën e Chelsea për mbrojtësin e djathtë, i cili është transferuar zyrtarisht në një tjetër klub. Ndonëse u komentua për një transferim në radhët e Interit, Azpilicueta është rikthyer në vendin e tij të lindjes dhe është bërë pjesë e Atletico Madrid me parametra zero, teksa ka firmosur një kontratë 1 vjeçare me Rojiblancos.
Këtë merkato, Atletico po i kushton një rëndësi të veçantë përforcimit në prapavijë. Mbrojtësi tjetër i transferuar është Çağlar Söyüncü. Turku është një tjetër përforcim me parametra zero për klubin bardhkuq, shërbimet e të cilit u siguruan nga Leiçester City. Mbrojtësi i qendrës ka firmosur një kontratë 4 vjeçare në “Estadio Metropolitano”.
Nuk mbaron me kaq. Santiago Mourino është mbrojtësi tjetër i qendrës i transferuar nga Atletico. Vetëm 21 vjeç, uruguajani u transferua për vetëm 2.7 milionë euro nga Racing Club.