Jurgen Klop e ka shndërruar Liverpulin pothuajse në skuadrën që ka qenë dikur. Aktualisht e sheh veten në gjysmëfinalen e Champions League, teksa nga ana tjetër gjendet në kuotën e 91 pikëve në kampionat, megjithëse titulli kampion duket vështirë të fitohet pasi Mançester Siti numëron 1 pikë më tepër. Mirëpo, kur u emërua në krye të “Reds”-ave, Klop ishte i bindur në aftësitë e tij, aq sa deklaroi se në rast se nuk fiton një titull në katër vitet e kontratës, vitin e pestë do të shkonte si trajner në… Zvicër.
Aktualisht, Liverpuli ka arritur në vitin e katërt nën drejtimin e Kloppit dhe tekniku gjerman ende nuk ka fituar asgjë. Tifozët në Angli kanë nisur një fushatë ku kërkojnë nga ai që të mbajë premtimin e dhënë dikur… “Unë kam ardhur këtu për një afat katërvjeçar dhe nëse nuk arrij të fitoj një titull, vitin pasaardhës do të trajnoj në Zvicër”, premtonte Klop. Ndërkohë që çudia vjen nga Zvicra. Faqja zyrtare e Bazelit në gjuhën angleze e ka refuzuar atë si trajner duke pranuar se ndihen mirë me trajnerin që kanë aktualisht. “Jemi të nderuar që Klop ka dëshirë që të punojë në Zvicër dhe shumë prej tifozëve na kanë sugjeruar që ta marrim, por ne jemi shumë të lumtur me trajnerin që kemi tani”, ka shkruar klubi zviceran në postimin e tij.