Pitana, argjentinasi që vendos drejtësi në finalen e Moskës

Sport

pitane

FIFA ia ka besuar finalen e Botërorit midis Francës dhe Kroacisë, gjyqtarit argjentinas Nestor Pitana. Kështu kanë rënë poshtë alternativa e italianit Tomaso Rochi, si dhe iranianit Alireza Faghani, të cilët shiheshin si opsionet më të mundshme. Megjithëse iraniani është zgjedhur për finalen e vendit të 3-të dhe të 4-t që luhet të shtunën, ora 16.00 në Shën Petersburg, midis Anglisë dhe Belgjikës.  Sa i takon Pitanas, bilbili 43-vjeçar me profesion mësues fiskulture, do të ndihmohet nga asistentët Hernan Maidana dhe Juan Lattes po nga Argjentina.

pitana2

Ndërsa holandezi Bjorn Kuipers do të jetë gjyqtari i katërt. Ndërkohë që do të ketë italianë në dhomën e VAR-it, ku është caktuar Masimiliano Irrati. Gjatë këtij Botërori, Pitana ka drejtuar katër ndeshje deri tani: Rusi-Arabi Saudita, Meksikë-Suedi, Kroacia-Danimarkë dhe Uruguaj-Francë. Bëhet fjalë për një rekord për këtë gjyqtar, përderisa veç asaj që mund të konsiderohet si ndeshja më e rëndësishme e karrierës së tij, kishte gjykuar edhe ndeshjen përuruese të turneut. Ai është bërë profesionist nga viti 2007 dhe është bërë ndërkombëtar nga 2010-a, duke marrë pjesë edhe në Botërorin e kaluar në Brazil, ku gjithsesi nuk mund të drejtonte dot finalen Gjermani-Argjentinë, që u gjykua nga Rizzoli.