Pioli është gati: Napoli nuk është e pamposhtur

Sport

Teksa sprinti final i sezonit ka nisur, trajneri i Milanit, Stefano Pioli është gati për sfidat që e presin, sidomos ato të muajit Prill.

Në 5 ndeshjet e radhës, në 3 prej tyre, Milani do të përballet me Napolin, një herë në kampionat dhe dy herë të tjera në çerekfinale të UEFA Champions League. Pikërisht këto sfida ndaj të kaltërve, konsiderohen thelbësore, sepse mund të vendosin jo pak ecurinë e Milanit, si në kampionat, por nga ana tjetër edhe në Champions.

Numri një i stolit kuqezi, padyshim që i ka dhënë merita maksimale Napolit, që në sytë e të gjithëve, konsiferohet si favorite përballë kampionëve në fuqi të Serie A. Megjithatë, italiani ka tjetër mendim. Strategu në fjalë, nuk e shikon si të pamundur për të fituar kundër ekipit të Luçiano Spallettit, që përgjatë këtij edicioni, ka tërhequr vëmendjen e të gjithë kontinentit, por edhe më gjerë.

“Napoli është një ekip shumë e fortë. Në verë, askush nuk e mendonte se ata do të luanin një futboll të tillë. Gjithësesi, asnjë skuadër nuk është perfekte dhe e pamposhtur”, ka deklaruar numri një i stolit kuqezi.

Sa i përket përplasjes në Champions, Pioli ka preferuar t’i mbështetet historisë së klubit kuqezi, një aspekt që e mban të gjithë ekipin të movituar, e duke nënkuptuar se melodia e djemve të tij në një turne të tillë, do të jetë ndryshe.

“Napoli po tregohet fantastike në kampionat, por Champions League, është Champions League. Aty ka vështirësi për të gjithë. Ky kompeticion është pjesë e historisë së Milanit, ku të gjithë ndihen të përfshirë. Do japim maksimumin që të luajmë sërish këtu edhe për edicionin e ardhshëm”, ka cituar 57 vjeçari.