Piatek thotë se kërkon të mësojë sa më shumë nga Lewandowski

Sport

Krzysztof Piatek u transferua gjatë merkatos së janarit në Gjermani tek Hertha Berlin, aty ku trajneri Jurgen Klinsmann e kërkonte me ngulm. 24-vjeçari hasi shumë vështirësi gjatë këtij sezoni me fanellën e Milanit dhe ardhja e Zlatan Ibrahimovic thjesht sa e komplikoi më shumë situatën e Piatek, që në fund vendosi të largohej. Në një intervistë të tij si lojtari i Hertha Berlin, Piatek u shpreh se kjo ishte një lëvizje që ai e kishte zgjedhur vetë mes disa ofertave të ndryshme. Ai beson tek projekti aktual i Herthas dhe mendon se mund të rritet shumë nga ana profesionale duke luajtur në një kampionat si ‘Bundesliga’. Për më tepër, ai shtoi se do të ketë mundësi të mësojë nga shumë sulmuesë të mirë, ku mes tyre veçoi bomberin e Bayern Munich, Robert Lewandowski. Piatek tha se Lewa është për momentin sulmuesi më i mirë në Gjermani dhe absolutisht një nga më të mirët në botë. Për këtë arsye, ai kërkon të mësojë sa më shumë prej tij, duke qenë se kanë edhe shumë karakteristika të ngjashme.
“Kur stërvitemi me kombëtaren e shoh gjithnjë me kujdes. Ai është një shembull i shkëlqyer dhe tani që jamë këtu, do të kem mundësinë të mësojë akoma më shumë prej tij. Flas me të gjithmonë dhe besoj se duke mësuar prej Lewandowskit mund të përmirësohem ndjeshëm.”
Transferimi i Piatek i kushtoi Hertha Berlin plot 27 milionë euro dhe pritshmëritë ndaj sulmuesit polak janë të mëdha, ndonëse gjatë gjysmës së parë të sezonit në Itali, realizoi vetëm 4 gola në 18 paraqitje me skuadrën e Milanit.