Piatek prezantohet tek Hertha Berlin; pas largimeve, Milan mendon për përforcimet

Sport

Krzysztof Piatek e ka mbyllur pas thuajse 1 viti aventurën e tij tek skuadra e Milanit. Sulmuesi polak ishte mesa duket ‘viktima’ e fundit e ‘mallkimit’ të fanellës me numrin 9, pasi nuk ia doli të ruante ritmin e sezonit të shkuar. Piatek u transferua në ‘Bundesligë’, tek Hertha Berlin, aty ku trajneri Jurgen Klinsmann e kërkonte me ngulm 24-vjeçarin. Gjermanët mundën konkurencën e Tottenham për të firmosur me Piatek, teksa në arkat e Milanit do të shkojnë rreth 27 milionë euro. Polaku zhvilloi 41 ndeshje me fanellën kuqezi, ku shënoi 16 gola. Ndryshe nga pjesa e dytë e sezonit të kaluar, këtë vit, Piatek nuk ia doli të bënte liderin për ekipin milanez dhe ardhja e Ibrahimovic e shihte sulmuesi polak në stol, diçka që ai nuk e ka pranuar.

Piatek ishte lojtari i radhës i larguar nga Milani në këtë merkato mjaft aktive të janarit. Veç tij, u larguan edhe Suso me destinacion Sevillan dhe Rodriguez, që u bashkua me PSV Eindhoven. Kjo bëri të detyrueshme ndërhyrjen e Maldinit dhe Boban edhe në merkaton në hyrje. Antonee Robinson është një emër jo shumë i njohur, por që në Angli, afrimin e tij nga Milani e cilësojnë si një lëvizje mjaft të mirë. 22-vjeçari amerikan kishte tërhequr mjaft vëmendje me paraqitjet e tij me Wigan. Lojtari i formuar në akademinë e Everton tani do të kenë shansin të provojë veten në futbollin elitar. Emri tjetër që tërheq vëmendje tek afrime e Milanit është ai i Alexis Saelemaekers. Talenti 20-vjeçar i Anderlecht do të provojë të bëjë hapin e madh në karrierë dhe tek kuqezintjë do të ketë mundësinë të provojë vlerat e tij.