9 gola në 8 ndeshjet në Serie A, në vitin e tij debutues në futbollin italian, kanë bërë që Krzysztof Piatek të jetë nga sulmuesit më të kërkuar në Evropë. Lojtari polak i Genoas prej kohësh përflitet se është kontaktuar nga disa prej skuadrave më të mëdha në kontinent, ndonëse për momentin ende nuk ka asgjë konkrete në lidhje me tratativat për kartonin e tij. Genoa, që e bleu nga Cracovia Krakoë për 4.5 milionë euro, nuk pranon të ulet në bisedime pa një ofertë fillestare prej 40 milionë eurosh për shërbimet e 23-vjeçarit.
Ndërsa së fundmi, ‘Goal.com’ raporton se njerëz të afërt me Piatek kanë zbuluar dëshirën e vetë lojtarit. Sulmuesi polak duket se ëndërron që një ditë të luajë me skuadrën e Barcelonës. Ndonëse vetë ai ka thënë se për karakteristikat që ka, do të ishte e vështirë që të përshtatej me katalanasit, por është i gatshëm të bëjë maksimumin që një ditë të jetë pjesë e blaugranave. Por deri në një moment të tillë, Piatek mbetet i fokusuar tek Genoa. Agjenti i lojtarit i ka kërkuar të vazhdojë përkushtohet skuadrës italiane dhe të dhurojë performanca të mira. Polaku e di se për të bërë hapin e madh të karrierës, duhet të vazhdojë të rritet tek një ekip më i vogël dhe tek Genoa, ai ka mundësinë më të mirë për t’u përmirësuar ende.