Trajneri i Liverpool, Arne Slot pezullohet me dy ndeshje nga Federata Angleze e Futbollit. Trajneri hollandez u ndëshkua me karton të kuq në fundin e ndeshjes ndaj Evertonit në Goodison Park. Vendimi i komisionit të disilinës, e ka shpjeguar këtë dënim, me faktin se Slot, ka përdorur fjalë të rënda dhe ofenduese ndaj gjyqtarit të ndeshjes, Michael Oliver, duke thyer në këtë mënyrë kodin e komunikimit ndaj kryesorit të takimit, e si pasojë është ndëshkuar.
Po ashtu, 46 vjeçari është ndëshkuar edhe me një gjobë prej 85 mijë eurosh.
Kështu, në dy ndeshjet e radhës në Premier League, Slot do e shohë skuadrën e tij nga tribuna. Ish-tekniku i Feyenoordit, nuk do të jetë në stol ndaj Neëcastle dhe Southampton, ndeshje këta, që të dyja, Liverpool do t’i luajë në Anfield.
Sakaq, me dy ndeshje është pezulluar edhe asistenti i Slot, Sipke Hulshoff, i cili reagoi ashpër ndaj arbitrit Oliver. Sa i përket ndëshkimit monetary, ndryshe nga Slot, Hulshoff është gjobitur me 8 mijë e 500 euro.
Më tej, sa u përket trazirave që ndodhën në fundin e derbit të Merseyside, Federata ka ndëshkuar gjithashtu me gjobë edhe dy klubet përkatëse, Evertonin dhe Liverpoolin, duke i bërë përgjegjëse për rrëmujën e shkaktuar në stadiumin Goodison Park.