Pezullohet gara e Katarit, shyhet ajo e Tajlandës, shkak mbetet koronavirusi

Sport

Rrezikshmëria e lartë që paraqet virusi ‘Covid-19’, i njohur ndryshe si koronavirus ka bërë që shumë evente kulturore dhe sportive të pezullohen. Pak kohë më parë, ishte ‘FIA’ që lajmëroi se gara e ‘Formula 1’ në Kinë do të shtyhej për një datë tjetër, ndërkohë që efektet e para të përhapjes së virusit po i ndjen edhe ‘MotoGP’. ‘Dorna’, që zotëron edhe të drejtat e ‘MotoGP’, ka lajmëruar zyrtarisht se është pezulluar gara e Katarit për këtë sezon. Në njoftimin e saj, ‘Dorna’ lajmëron se situata po vëzhgohet me kujdes, teksa skuadrat dhe stafet e tyre do të trajtohen në mënyrë të veçantë, si dhe do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm. Kjo vjen për shkak se një pjesë e mirë e tyre, kanë bazat në Itali dhe Japoni, vende të prekura ndjeshëm nga ky virus.
Po nëse gara e Katarit është pezulluar nga vetë ‘Dorna’, në Tajlandë, ka qenë ‘Ministria e Shëndetësisë’ e këtij vendi që ka lajmëruar se edhe gara e ‘MotoGP’ në cirkuitin Chang, në Buriram do të shtyhet për një datë tjetër. Ky vendim i marrë nga qeveria tajlandeze do të pranohet nga ana e Federatës Ndërkombëtare të Motoçiklizmit, duke bërë që zyrtarisht, të pezullohen të dyja garat e parë të 2020-ës. Kështu, sezoni i ri në ‘MotoGP’, por edhe në të gjitha kategoritë e tjera të garave me motora, do të startojë me gjasa në datën 5 prill, me garën e Austrin, në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që në kalendarin provizor ishte planifikuar të ishte ndalesa e tretë e botërorit.