Gjashtë ndeshje radhazi pa fitore janë vërtet shumë për një klub si Arsenali. Për këtë arsye, në mediat angleze së fundmi kanë lindur spekulime se pozicioni i trajnerit Unai Emery mund të jetë në pikëpyetje. Veç problemeve me rezultatin, tekniku spanjoll nuk ka arritur as të zgjidhë konfliktet e krijuara me disa lojtarë që mendoheshin kyç për ecurinë e londinezëve si Mesut Ozil apo Granit Xhaka. Rreth kësaj situate ka folur edhe ish-lojtari i ‘topçinjve’, Emmanuel Petit. Pavarësisht se vlerësoi aftësitë e trajnerit Emery, Petit deklaroi se Arsenali në këto çaste ka nevojë për një figurë që di se si të jetë lider.


Kështu, sipas tij, një nga alternativat më të mira për stolin e ish-skuadrës së tij është tekniku aktual i Rangers, Steven Gerrard. Legjenda e Liverpool-it ka bërë një punë të mirë me skuadrën skoceze dhe duke parë edhe rëndësinë e figurës së tij në ‘Premier League’, Petit mendon se Gerrard do t’i jepte një tjetër frymë ekipit londinez.

Tashmë 49-vjeçar, Petit u shpreh se lojtarëve të Arsenalit duket se u mungon shpirti i garës, pasioni dhe dëshira për të shkuar larg. Këto gjëra sipas tij, një figurë si Gerrard mund t’i zgjidhte lehtësisht, por ai e pranoi se mundësia që Gerrard të pranojë të drejtojë një skuadër të madhe në ‘Premier League’ veç Liverpool-it duket e vështirë. Kjo, për vetë historinë që Gerrard ka me ‘the reds’. Megjithatë alternativa të ngjashme nuk mungojnë, ndonëse për momentin, drejtuesit e Arsenalit kanë shfaqur besim të plotë tek aftësitë e trajnerit aktual, Unai Emery.
