Real Madrid festoi triumfin e 13 në Champions League pas fitores 3-1 në finalen ndaj Liverpool. Mirëpo për kapitenin e “los blancos” Sergio Ramos duket se ende nuk ka mbaruar. Një nga episodet vendimtare të ndeshjes ishte dëmtimi që mbrojtësi i Real Madrid i shkaktoi Mohamed Salah në pjesën e pare të ndeshjes. Ramos e kaloi atë moment pa asnjë ndëshkim, por shumë tifozë të Liverpool ose jo, janë irrituar me sjelljen e 32-vjeçarit në fushën e lojës, aq sa kanë ngritur një peticion kundër tij, ku kërkojnë marrjen e një mase ndëshkimore nga ana e UEFA-s.
Shumë e kanë cilësuar si të qëllimshme momentin e përplasjes mes Ramos dhe Salah, me këtë të fundit që rrezikoi seriozisht edhe pjesëmarrjen për në botërorin e Rusisë. Ramos është disi i njohur për stilin e tij të pisët të lojës, duke krijuar jo pak armiq në shkallët e stadiumeve. Peticioni ndaj tij numëron brenda pak orësh mbi 300 mijë firma, ndërsa nga ana e UEFA-s nuk ka ende asnjë reagim.