Pesë fitore radhazi në Serie A për Napolin, Kvaratskelia drejt largimit

Sport

Pesë fitore radhazi në Serie A për Napolin. Në javën e 20 të kampionatit, të kaltërit pritën Veronën në shtëpi, sfidë të cilën e vulosën me rezultatin 2-0. Në Maradona, të zotët e shtëpisë kaluan shumë shpejt në epërsi, duke marrë një dhuratë nga Montipo, i cili realizoi autogol në portën e tij. Më pas, në pjesën e dytë, në minutën e 61, Anguissa shënoi edhe të dytin, duke shndërruar në gol një assist të dhënë nga Romelu Lukaku.

Me paraqitjen sezonale që po bën në prapavijë, Napoli ka mbrojtjen më të fortë të Serie A, me vetëm 12 gola të pësuar në 20 ndeshje. Mirëpo, kjo e dhënë, merr një kuptim akoma më të fortë, nëse këtu shtojmë edhe një statistikë historike që është prekur nga një ecuri e tillë. Në 20 javë kampiona, Napoli e ka mbajtur portën të paprekur në plot 12 javë, diçka që për klubin e kaltër, nuk kishte ndodhur që prej sezonit të largët 1981/1982.

Si pasojë e këtyre të dhënave dhe rezultateve pozitive të ardhura njëra pas tjetrës, Napoli është ngjitur në kuotën e 47 pikëve, në vendin e parë, më më tepër sesa vendi i dytë që mbahet nga Interit, mirëpo duhet theksuar se zikaltërit kanë dy ndeshje për të rikuperuar, kështu që nëse i fitojnë të dyja, atëherë do të jenë pikërisht ata që do të kryesojnë tabelën e klasifikimit.

Ndërkohë, teksa Napoli po fiton, gjithashtu, përgjatë merkatos së Janarit, nga 3 herë kampionët e Italisë, duket se do të largohet një nga futbollistët më të rëndësishëm të organikës, sikurse është Kvicha Kvaratskhelia. Diçka të tillë e ka konfirmuar përpara mediave trajneri Antonio Conte, i cili është shprehur se lojtari në fjalë, është i lidhur me zëra që e dërgojnë drejt PSG, ose Liverpool. 55 vjeçari ka shtuar se ndihet i zhgënjyer nga fakti që përgjatë këtyre 6 muajve nuk e bindi dot lojtarin të qëndronte. Si pasojë, qallohet qartë, se palët po ndajnë rrugët dhe Napoli po përgatitet për largimin e futbollistit në mes të sezonit. Sipas mediave matanë detit, drejtuesit e klubit jugor të Italisë, synojnë të arkëtojnë rreth 90 milionë euro nga shitja e Kvicha Kvaratskhelia.