Pesë fitore radhazi në Serie A për Juventusin, ngushtohet diferenca me kreun

Sport

Pesë fitore radhazi në kampionat për Juventusin. Në javën e 27 të Serie A, bardhezinjtë fituan edhe ndaj Veronës, me rezultatin 2-0. Në pjesën e parë, nuk munguan rastet, por mungoi konkretizimi, që do të vinte në pjesën e dytë.

Fillimisht ishte Kephren Thuram, në minutën e 72 ai që do të shënonte. Francezi, është duke përjetuar sezonin e tij më të mirë në raportin me golat dhe asistet. Këtë edicion, 23 vjeçari numëron 3 gola e 4 asiste me Juven në kampionat, duke u kthyer kësisoj në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të trajnerit Thiago Motta, në veçanti në ndeshjet e fundit.

Golin e dytë e gjeti Teun Koopmeiners në minutën e 90. Hollandezi shpreson që ky të jetë moment ii kthesës për të, pasi përgjatë këtij edicioni, është kritikuar vazhdimisht për atë që ka dhënë në fushën e lojës.

Me 5 fitore radhazi, kjo është forma më e mirë sezonale e Juventusit në Serie A dhe si pasojë, tani ka ngushtuar edhe diferencën me vendin e parë në vetëm 6 pikë, ndonëse renditet në vendin e katërt të kampionatit.

Kjo është hera e parë në Serie A që nga edicioni 1994/95 që pas 27 javësh, 4 skuadrat e kreut ndahen nga vetëm 6 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Juventusi do të luajë ndaj Atalantën, një kundërshtar direkt për vendet e kreut.