Përplasje mes trajnerit Erik ten Hag dhe Jadon Sancho

Sport

Përplasje në distancë mes trajnerit të Manchester United, Erik ten Hag dhe lojtarit të skuadrës, Jadon Sancho. Britaniku, nuk u grumbullua nga tekniku hollandez për ndeshjen e javës së 4 të kampionatit ndaj Arsenalitm, duke ngjallur menjëherë dyshime.

I pyetur mbi një temë të tillë, Ten Hag u shpreh se lojtari në fjalë, kishte rënie të performancave të tij në seancat stërvitore, duke mos qenë në lartësinë e futbollistëve të tjerë. Sipas timonierit të djajve të kuq, kjo ishte arsyeja kryesore që anësori i sulmit nuk udhëtoi me pjesën tjetër të ekipit në transfertën e Londrës.

Sidoqoftë, pas kësaj deklarate të trajnerit, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i futbollistit, duke përgenjështruar kësisoj qëndrimin e teknikut të tij.

“Ju lutem, mos besoni çdo gjë që dëgjoni, apo lexoni. Nuk do të lejoj që rreth meje të thuhen gjëra të pavërteta. Këtë javë, unë jam stërvitur rregullisht dhe besoj se në këtë çështje ka të tjera arsye, për të cilat nuk do të futem në detaje. Rreth meje kanë ndodhur gjëra të pashpjegueshme prej një kohe të gjatë. Unë thjesht dua të luaj futboll dhe të ndihmoj skuadrën, teksa respektoj çdo ventim të stafit të trajnerëve. Sido që të jetë puna, unë do të luftoj për këtë fanellë”, janë fjalët e 23 vjeçarit.

Në rrethana të tilla, duket qartë që në kampin e United ekziston një krisje marrëdhëniesh mes Tek Hag dhe Sanchos, teksa mbetet për t’u parë se si do të menaxhohet kjo situatë në vijimësi.

Në secilën prej 3 ndeshjeve të mëparshme të Premier League, Jadon Sancho e kishte nisur nga stoli, kurse në “Emirates”, ai as që u grumbullua me ekipin, por u la në shtëpi.