Përforcimet e verës nuk mjaftojnë, Manchester United kërkon talentin e Benficas

Sport

Pavarësisht përforcimeve të shumta në merkaton e verës, Manchester United mendon se në skuadër ka ende nevojë për të tjerë lojtarë. Erik ten Hag kërkon një sulmues në ekip. Për këtë arsye drejtuesit e klubit janë vënë në lëvizje dhe kanë piketuar talentin e Benficas, Goncalo Ramos.

Madje, sikurse raportojnë mediat britanike, lidershipi i gjigantëve të Anglisë do e hedhë hapin e parë në merkaton e janarit. Madje, kontaktet me të afërmit e lojtarit besohet se mund të kenë nisur. Oferta nuk pritet të jetë më tepër sesa 30 mln euro për Ramos, I cili duhet thënë se këtë sezon e ka nisur shumë mirë nën urdhërat e trajnerit Roger Schmidt.

Në 12 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet, portugezi ka arritur të realizojë 8 gola.

Me Marcus Rashford dhe me Anthony Martial, aktualisht të dëmtuar, United kërkon ta zgjerojë edhe më shumë organikën, në mënyrë që qendra e sulmit të mos mbetet e boshatisur. Ndër të tjera, shihet shumë e vështirë që Cristiano Ronaldo ta mbyllë sezonin actual në “Old Trafford”. Besohet se ylli portugez do shfrytëzojë pikërisht merkaton e janarit për të kërkuar një tjetër klub, aty ku të ketë mundësinë të luajë në Champions League.

Në këtë tërësi rrethanash, të kuqtë e Manchesterit kanë nisur menjëherë lëvizjet e para dhe po shtrojnë terrenin për të afruar sulmuesin Goncalo Ramos në “Teatrin e Ëndrrave”.