Perez i tërbuar nga qasja e Interit me Modricin, i raporton te UEFA

Sport

perez

Realit të Madridit s’i ka pëlqyer aspak trazira e krijuar nga interesimi i Interit për Luka Modric. Aq e pakëndshme ka qenë mënyra se si zikaltërit i janë qasur nënkampionit të botës, saqë Florentino Perez thuhet se ka raportuar klubin italian te UEFA. Radioja spanjolle Cadena SER raportoi se Interi ka kryer një kontakt të pa-autorizuar me mesfushorin e Realit dhe kjo gjë e ka tërbuar jashtëmase Presidentin e 13-herë kampionëve të Evropës. Pikërisht për të diskutuar rreth këtyre kontakteve, por edhe për të ardhmen, Modric është thërritur herë pas here në zyrën e Perezit. Javët e fundit kroati është përfolur jashtë mase rreth një tundimi që i vjen nga Interi.

mod

Zikaltërit në Itali thuhet se i kanë paraqitur një ofertë, ku atij i premtojnë një pagë të majme dhe një mbyllje karriere me më shumë përfitime në Kinë, në klubin e dytë të zotëruar nga pronarët e Interit. Kjo ofertë, por dhe fakti se te skuadra e Spallettit luajnë edhe kroatë të tjerë, thuhet se e ka tunduar Modricin. Sidoqoftë Cadena Cer, por dhe gazeta AS këmbëngulin se nënkampioni i botës nuk do të lëvizë nga Bernabeu, madje atij do t’i ofrohet një kontratë e re nga Reali. Përjashto ndonjë surprizë të ditës së fundit të merkatos për skuadrat italiane, Modric do të mbetet i Los Blancosve, ndërsa Interi mund të vuajë edhe pasojat me gjobitje apo masa të tjera nëse cështja e ngritur nga Perez rezulton serioze.