Perez blindon Modric: Le të paguajnë 750 milionë…

Sport

xzxxz

Reali i Madridit nuk ka ndërmend të lërë të konkretizohet një tjetër ikje, si ajo e Cristiano Ronaldos. Këtë ka lënë të kuptohet presidenti Florentino Perez, kur i ngacmuar në lidhje me dëshirën e Luca Modric për t’u larguar drejt Milanos, është përgjigjur: “E vetmja mundësi që të ikë është kundrejt pagesës së 750 milionë eurove”, kanë qenë fjalët e lëshuara për “Marca” nga kreu i kampionëve të Evropës, Pra, madrilenët nuk duan ta lënë të lirë, pa paguar shifrën e klauzolës së prishjes së kontratës së tij. Një marrje e qartë pozicioni nga ana e klubit spanjoll, që duket sikur largon Interin, në një kohë kur zikaltërit po ëndërrojnë të marrin kroatin. Gazeta spanjolle është shprehur e sigurtë për qendrimin e Modric në Madrid, ku ka një kontratë deri në 2020. Ndërsa flitet se për ta bindur të qendrojë, do t’i ofrojnë edhe një rritje të konsiderueshme të pagës aktuale, që është 10 milionë euro në sezon. Për më tepër, drejtuesit e klubit madrilen duan ta kthejnë në një pikë referimi dhe simbol të skuadrës. Ndërkohë që javën e ardhshme e presin të bashkohet me Realin për të nisur stërvitjen përpara ndeshjes së shumëpritur të Superkupës së Evropës kundër Atletikos së Madridit.
Mirëpo nga ana tjetër, mediat në Itali vijojnë të raportojnë se kroati do të takohet me presidentin Perez, për të ngulmuar që ta lëshojë. E madje u ka dhënë gatishmërinë agjentëve të tij – të njëjtët që transferuan Vrsajkon në Milano – për të zbarkuar te zikaltërit. Gjithsesi, e gjitha është në duart e presidentit Perez, i cili pas lamtumirës së Ronaldos, nuk dëshiron të ketë kundër tifozerinë, duke humbur edhe një tjetër element të cmuar të “Shtëpisë së Bardhë”.