Për Strakoshën kthehen sirenat angleze, por Lacio ka tjetër synim

Sport

Nga 2022-shi në 2025. Lacio është gati të forcojë raportin me Thomas Strakoshën. Portieri shqiptar 25-vjecar, mbërriti përpara disa vitesh në Formelo kur ishte thuajse fëmijë, por me kalimin e sezoneve shfaqi progres të dukshëm. Aq sa skuadra bardhekaltër ia doli të kishte edhe mbrojtjen më pak të thyer të Serisë A (23 gola të pësuar, një më pak se Inter e Juve). Tashmë mund të thuhet se klubi beson verbërisht tek ai, ashtu si edhe trajneri Simone Inzaghi, i cili i ka dhënë shumë përgjegjësi portierit edhe sa i takon ndërtimit të manovrës duke filluar nga prapavija. Jo më kot Strakosha ka kryer 735 pasime, gati 200 më shumë sesa Handanovic).
Verën e kaluar ishin shfaqur sirenat angleze në drejtim të portierit. Flitej sidomos për Tottenham, por interesi nuk u konkretizua. Zërat e merkatos vazhdojnë ta dërgojnë në Premier League, por kësaj radhë është Evertoni i Carlo Ancelottit që kërkon një portier. Strakosha ka kontratën që i skdaon pas dy sezoneve. Megjithatë tek Lacio kërkojnë t’ia zgjasin të paktën deri në vitin 2025. Për momentin nuk ka një akord, edhe për shkak të diferencës që ekziston mes propozimit të klubit dhe kërkesës së portierit, i cili për momentin përfiton 1.2 milionë euro. Lacio ofron 1.5 milionë plus bonuse, duke shkuar në një pagë bruto prej 2 milionë eurosh. Kurse Strakosha do të donte një shtim më të konsiderueshëm. Kjo, duke parë edhe paraqitjet që kanë ardhur në rritje gjatë viteve të fundit Gjithsesi duket se herët a vonë do të arrihet të gjendet gjuha e përbashkët, përderisa ekziston vullneti i të dy palëve për të vijuar “bashkëjetesën”.
Strakosha ka veshur fanelën bardhekaltër në 154 ndeshje nëpër të gjithë kompeticionet dhe ka pësuar 176 gola. Gjatë karrierës me Lacion ka fituar 2 Kupa të Italisë dhe dy Superkupa. Aktualisht, sipas vlerësimeve të Transfermarkt.de, vlera e tij në merakto është 25 milionë euro.