Megjithëse nuk munguan ofertat nga klubet italiane, apo edhe nga Spanja e Anglia, Elseid Hysaj e pati të vështirë të shkëputej nga Napoli gjatë merkatos së verës . Shkodrani mesa duket tani është në pritje të merkatos së janarit, për të konkretizuar largimin e kërkuar që përpara disa muajsh. Teksa menaxheri i tij, Mario Xhiufredi, ka zbuluar edhe skuadrën që do të ketë prioritet për lojtarin, sa i takon transferimit të tij. “Hysaj qëndroi te Napoli, pasi për fat të keq nuk arritëm të mbyllnim disa negociata të hapura. Gjithsesi, kjo është gjysma e së keqes pasi trajneri Ançeloti ka konsideratë për të. Sidoqoftë po mendojnë për t’u larguar nga Napoli në janar. Klubi e di këtë pasi s’kemi ndërmend të rinovojmë, përderisa nuk ekzistojnë rrethanat. Dhe Roma është një destinacion i mirëpritur nga lojtari, për të mos thënë kryesori”. Pas një viti, sic ka konfirmuar edhe agjenti, Hysaj do të jetë në skadencë kontrate. Prandaj Napoli mund ta humbasë me parametër zero. Por sipas Xhiufredit, ky do të ishte një mëkat. Për këtë arsye, palët do të ulen për të biseduar që të gjendet gjuha e përbashkët, pasi vetë mbrojtësi dëshiron të largohet pas 4 vitesh e gjysmë në “San Paolo”. Prandaj, agjenti ka bërë thirrje që De Laurentis të ulët pretendimet prej 20 milionë eurosh që kërkon për të lënë të lirë Hysajn, duke pranuar të paktën ofertën prej 18 milionësh.
Gjithashtu, menaxheri i shkodranit ka folur edhe për gjendjen e Hysajt, pas dëmtimit të pësuar gjatë ndeshjes Torino-Napoli, ku mbrojtësi luante titullar për herë të parë në këtë sezon. “Mund të konfirmoj se Elseidi është mirë, megjithëse ndjen pak dhembje në gjoks dhe brinjë. Ka pësuar një frakturë, por për fat, është një gjë jo fort shqetësuese. Pavarësisht se fillimisht menduam për dicka më të rëndë. Koha e rikuperimit është rreth 25 ditë. Doja të thoja edhe se kundërshtari i tij, Ansaldi, u tregua i zoti në reagimin e tij pas rënies së Hysajt”, përfundoi Xhiufreddi.