Për Muriqin shtohet lista edhe me një tjetër klub italian

Sport

Vedat Muriqi vazhdon të jetë një nga emrat më të përfolur në merkaton evropiane. Tashmë, sulmuesi i Kosovës që luan për Fenerbahcen, ka përfunduar edhe në shënjestrën e një tjetër klubi italian, si Napoli. Skuadra e Gattuso po kërkon një tjetër sulmues, në rast se nuk do të arrijë të rinovojë me Milik, kontrata e të cilit skadon në 2021-shin. Kështu, sipas kanalit turk Ahaber, klubi napoletan i është shtuar listës së gjatë të klubeve të interesuar për Muriqin, ku mund të përmenden Lazio, Tottenham, Man.Utd, Leicester, Eintracht F etj.
Shtatlarti i datëlindjes ’94, është aktualisht pronë e Fenerbahces. Ai ka debutuar me fanelën e Shqipërisë U-21 më 5 tetor 2013 në një ndeshje e vlefshme për kualifikimin në Evropianin 2015, duke u aktivizuar në minutën 46 ndaj Bosnjës U-21. Por vetëm kaq zgjati aventura e tij si shqiptar, përderisa më 30 gusht 2016, u thirr nga tekniku i Kosovës, Albert Bunjaku, për ndeshjen e kualifikueseve të Botërorit 2018 kundër Finlandës. Ai përfundimisht u aktivzua me Kosovën, pasi mori “miratimin” nga ana e FIFA-s.
Vlera e Muriqit vërtitet aktualisht te 20 milionë euro, por falë cilësive që po shfaq, shifra mund të vijë në rritje. Fenerbahce e bleu nga Rizespori në vitin 2019 për 3.5 milionë euro dhe tashmë ka një marrëveshje që do të zgjasë edhe për të paktën 3 vite të tjerë. E majta është këmba e tij e preferuar, ndërkohë që ka një gjatësi prej 194 cm. Gjatë sezonit 2019/2020, Muriqi ka koleksionuar 25 ndeshje në Superligën turke, duke shënuar 13 herë dhe duke realizuar 5 asiste. Gjithashtu numëron edhe 3 ndeshje, 2 gola dhe 1 asist në Kupën e Turqisë.