Pep Guardiola, trajner Manchester City:

Sport

“Jemi dy skuadra në formë shumë të mirë. Përballë nesh kemi kampionët e Spanjës, ndërsa ne po përpiqemi të dalim kampion në Angli. Nuk e di se ç’do të ndodhë mbrëmjen e sotme. E rëndësishme është që të kemi nxjerrë mësime nga eksperiencat e mëparshme. Nuk është aspak me vend që të bëjmë sërish të njëjtat gabime.

Nëse duam të kualifikohemi, atëherë duhet të luajmë më mirë sesa në aktin e parë gjysmëfinal që zhvilluam në shtëpinë tonë. Mirëpo, mund të ndodhë që të luajmë më keq dhe në fund të triumfojmë. Në futboll, ndonjëherë, ju nuk merrni atë që meritoni. E dimë se duhet që me çdo kusht duhet të luajmë mirë dhe duhet të organizojmë taktikat tona në mënyrë që të dalim me rezultat pozitiv.

Jam i mrekulluar nga ndeshja e parë. U shënuan 7 gola dhe në fund ishim të lumtur me fitoren, ndonëse e dinim se asgjë nuk vendosej në stadiumin tonë. Gjithçka do përcaktohet sonte në Santiago Bernabeu. Pikërisht për këtë arsye, është e nevojshme që të zhvillojmë një tjetër performancë të mirë. Mendoj se sonte është një test i vërtetë për ne.

Dëmtimet? Kyle Walker është stërvitur me skuadrën, por ende nuk e dimë nëse do të luajë ose jo. Kemi shpresë se ai mund të jetë në fushë. Ndërsa Joao Cancelo është rikthyer dhe është gati për sonte. Nuk ia ka dalë John Stones, ai ka probleme fizike dhe nuk do jetë gati për sonte. Nga lojtarët e tjerë, askush nuk ka pushuar, sepse jemi të angazhuar edhe në Premier League.

Ancelotti? E uroj për titullin kampion që fitoi në Spanjë. Është diçka që e kam bërë edhe unë po ashtu. E admiroj karrierën e tij. Ai është një trajner që gjithmonë ka bërë mirë. Luan një futboll të bukur dhe mjaft tërheqës. Po ashtu, ai është edhe një person mjaft i veçantë”.