Pep Guardiola thotë se Manchester City nuk është gati për ‘Champions League’-ën

Sport

Manchester City siguroi fitoren e radhës në kampionat, teksa mposhti në transfertë skuadrën e Crystal Palace 2-0. Të besuarit e Pep Guardiolas e patën ndeshjen nën kontroll dhe kanë ngushtuar në 6 pikë distancat me Liverpoolin kryesues, që barazoi 1-1 me Manchester United. Pas sfidës me Crystal Palace, trajneri i ‘citizens’ u shpreh se kampionati mbetet ende i gjatë dhe çështja e titullit me gjasa do të jetë në diskutim deri në fund. Por pyetja më delikate për Guardiolan mbetet ajo rreth ‘Champions League’-ës. Sipas teknikut katalanas, skuadra e tij ende nuk është gati për të triumfuar në arenën europiane. Shumë gjëra, Guardiola i lidh me mendësinë e lojtarëve të tij dhe presionin që kanë ata pikërisht për të arritur një objektiv të tillë kaq madhor, teksa cilësohen si favoritë vit pas viti.


“Ende nuk jemi gati. Ne luajmë mirë, shënojmë shumë gola dhe pësojmë më pak, por përsëri ka gjëra që duhen përmirësuar. Gjërat duhen marrë hap pas hapi, por duhet pranuar që presioni mbi lojtarët është vërtet i madh.”
Sezonin e shkuar, Manchester City u eleminua nga ‘Champions League’ nga Tottenham, që shfrytëzoi rregullin e golave jashtë fushe. Mbrojtja e ‘citizens’ ka qenë mjaft e kritikuar në dy sezonet e fundit. Dëmtimi i Aymeric Laporte ishte një goditje e madhe në fillimin e këtij sezoni për Guardiolan, i cili tashmë mbështet kryesisht tek dyshja Nicolas Otamendi e John Stones.