Pep Guardiola: Pa titull të Champions League, nuk jemi të kompletuar

Sport

Pep Guardiola ka bërë një punë të jashtëzakonshme në radhët e Manchester Cityt, por ajo do të konsiderohet e paplotë, nëse kabinetit të trofeve do t’I mungojë një titulli I Champions League. Një gjë të tillë e ka pranuar vetë trajneri spanjoll përgjatë një conference të tij për mediat.

“Nuk do të quhemi të kompletuar nëse nuk triumfojmë në Champions League. Triumfi në një kompeticion të tillë, të jep më tepër prestigj dhe të rreshton mes më të mirëve, e njëkohësisht të jep mundësinë për t’u krahasuar me ta”, ka thënë fillimisht Pep.

Më tej, 52 vjeçari është shprehur se City është në rrugën e duhur për t’u ngjitur në krye të Europës dhe herët ose vonë, ai titull do të vijë. Megjithatë, mundësinë për të fituar trofeun e lakmueshëm të Champions League, City e ka në dorë, jo më larg sesa data 10 Qershor, kur në Stamboll do të luajë në finalen e madhe ndaj Interit.

Por, përpara se të vijë ajo datë, qytetarët kanë arritur një tjetër sukses. Fundjavën që lamë pas, ata fituan titullin e tyre të 3-të radhazi kampion, I 5-ti në 6 sezonet e fundit dhe I 9-ti në historinë e klubit. Më tej, një javë përpara finales së Champions League në Stamboll, City ka mundësi që të shtojë edhe një tjetër trofe në cabinet, teksa në 3 Qershor do të luajë finalen e FA Cup përballë rivalëve të qytetit, Manchester United.

Nëse I fiton që të dy titujt e radhës, atëherë City do të kompletonte tripletën e parë në historinë e klubit, ndërsa tripleta e dytë do të ishte kjo për trajnerin Pep Guardiola, pas asaj të fituar më herët me Barcelonën, në sezonin 2008/09.