Pep Guardiola nuk kursen elozhet për rivalët e Liverpool!

Sport

Manchester City ka luftuar përgjatë gjithë sezonit me Liverpool sa i përket titullit kampion në Angli, dhe për trajnerin e ‘citizens’, Pep Guardiola, ata janë një nga kundërshtarët më të fortë që ka hasur në karrierë. 48-vjeçari katalanas nuk i kurseu elozhet për rivalët, duke theksuar se nëse ekipi i drejtuar prej tij do t’ja dalë mbanë të triumfojë në fund, atëherë ky do të jetë nga arritjet më të mëdha për të si trajner. “Arritja në këtë fazë, dy ndeshje para fundit, është kënaqësia më e madhe që kam pasur si trajner. Në karrierën time si trajner, të kem luajtur kundër rivalësh të pabesueshëm. Njëra është Barcelona, me Luis Enrique në stol, me lojtarë si Neymar, Lionel Messi dhe Luis Luis Suarez. Tjetri është ky Liverpool. Unë mendoj se janë dy skuadrat më të mira, me të cilat jam përballur si trajner”.


Gjatë muajit janar, Liverpooli ishte në krye të renditjes me një distancë prej 7 pikësh me kampionët në fuqi, por 4 barazime në 6 ndeshje të ‘the reds’, si dhe 12 fitoret radhazi të ‘citizens’ bënë që situata të përmbysej. Në rast se Manchester City ia del të triumfojë deri në fund të sezonit, atëherë ekipi i Pep Guardiolës do të bëhet i pari që mbron fronin në ‘Premier League’ që nga viti 2009, kur diçka të tillë e bënin rivalët e qytetit, Manchester United. Eleminimi nga ‘Champions League’ ka bërë që kampionati të kthehet absolutisht në një objektiv të domosdoshëm për t’u arritur për ‘citizens’.