Pep Guardiola lavdëron Interin: Ndaj një skuadre italiane nuk është e lehtë

Sport

Pep Guardiola lavdëron maksimalisht Interin. Në kërkim të së parës Champions League me Manchester Cityn, në një intervistë për mediat italiane, trajneri i kampionëe të Anglisë, ka komentuar edhe kundërshtarin e finales së madhe të Stambollit, të cilit nuk ia ka aspak besën.

“Kam ndjekur për disa minuta fragmente të ndryshme të Interit. Kam parë disa situata dhe jam me të vërtetë shumë i impresionuar. Ata janë shumë të zotë në ndërtimin e aksioneve sulmuese. Kam kontaktuar disa miq të mitë që jetojnë në Itali dhe kërkova opinionin e tyre për Interin. Më thanë që duhet të kem kujdes. Si përfundim mund të them se Interi ka mjaft kualitet dhe mund të na mposhtë në finale. Ata e kanë fituar 3 herë këtë trofe, ndërsa ne nuk ia kemi dalë asnjëherë. Por sigurisht do të provojmë të luajmë futbollin tonë më të mirë dhe do të përpiqemi të fitojmë”, ka deklaruar ndër të tjera spanjolli.

Më tej, 52 vjeçari i ka paralajmëruar lojtarët e tij, duke thënë se nuk është rastësi që në secilën finale prej kupave europiane të këtij sezoni, ndodhet një skuadër italiane dhe disa të tjera kanë shkuar deri në gjysmëfinale. Sipas Pep, kjo arritje tregon mentalitetine futbollit italian, të cilin ai e njeh shumë mirë, për shkak se vite të shkuara ka luajtur vetë aty.

Pep ka shtuar se fakti që Serie A është një prej ligave më të forta në botë dhe dikur ka qenë më e forta, ku të gjithë lojtarët, apo edhe trajnerët në botë donin të ishin pjesë e saj, tregon mentalitetin e futbollit fitues të tyre. Për këtë arsye ka thënë Pep, një finale ndaj një skuadre italiane, mbetet gjithmonë një ndeshje e komplikuar.

Në 10 Qershor, Manchester City dhe Interi do të përballen mes tyre në finalen e madhe të Stambollit, aty ku Champions League do të mësojë mbretin e saj të ri.