Pep Guardiola: Kevin De Bruyne nuk do të largohet

Sport

Kevin De Bruyne nuk do të largohet nga Manchester City. Pavarësisht se çfarë është thënë përgjatë ditëve të fundit, se belgu do të transferoher në Arabinë Saudite, në skuadrën e Al Ittihad, diçka e tillë nuk do të ndodhë. Personazhi që e ka garantuar qëndrimin e De Bruyne me kampionët e Anglisë, është vetë trajneri i Cityt, Pep Guardiola.

“Kevin nuk do të largohet. Nëse dikush do të largohet, atëherë do të flasim dhe do të shqyrtojmë mundësitë tona deri në ditën e fundit të merkatos. Nuk e përjashtoj përforcimin me lojtarë të rinj, por mendoj se 85, 90, apo edhe 95%, do të kemi të njëjtën skuadër edhe në edicionin e ri futbollistik”, është shprehur Pep, tekniku i Cityzens, i cili ka dalë si garanci për qëndrimin e De Bruyne.

Mesfushori ka ende edhe një vit kontratë me blutë nga Manchesteri dhe në rast se nuk do të largohet, atëherë, ekziston mundësi që palët të diskutojnë rinovimin e kontratës, sepse klubi nuk do të rrezikonte që lojtari të largohej me parametra zero në verën e ardhshme.