Pep Guardiola kërkon më tepër mbështetje nag tifozët

Sport

Manchester City tregoi se Arsenali nuk do e ketë të lehtë rrugën drejt titullit kampion. Në ndeshjen e javës së 19-të të Premier League, Cityzens arritën një fitore spektakolare me rezultatin 4-2 ndaj Tottenham.

Ndonëse Spurs kaluan në epërsinë e dy golave në pjesën e parë, në të dytën, nuk mundën t’i bënin dot ballë furisë së bluve të Manchesterit.

Në këtë mënyrë, City ia ka dalë të shmang humbjen në të 5-ta ndeshjet e fundit që ka qenë në disavantazhin e dy golave, duke marrë 3 fitore dhe 2 barazime.

Pas përfundimit të takimit, Pep Guardiola nuk i kurseu kritikat, jo vetëm për lojtarët e tij, por gjithashtu edhe për tifozët.

“Skuadra e ka humbur pasionin, e ka humbur dëshirën për të fituar që nga minuta e parë. E njëjta gjë vërehet edhe në radhët e tifozëve tanë. Ata ishin të heshtur në 45 minutat e para. Dua që tifozët të jenë sërish të zjarrtë dhe të na përkrahin në çdo aksion tonin”, ka cituar ndër të tjera tekniku spanjoll.

Sidoqoftë, pavarësisht pakënaqësive të Guardiolës, City mbetet në vendin e dytë në Premier League, në kuotën e 42 pikëve, 5 më pak sesa Arsenali kryesues, por Gunners kanë një ndeshje më tepër për të rikuperuar.