Pep Guardiola do të jetë trajner i ri i Juventusit, ishte ky lajmi i bujshëm që zuri vend në të gjitha mediat sportive të kontinentit të mërkurën. Trajneri katalan, i cili deri të martën raportohej se Manchester City i kishte vënë përpara një kontratë të re, duket se ka patur të tjera plane, të paktën kështu sipas raportimit që bënë në Itali. Gazetari i Radio-Sportiva, Federico Gennarelli ka përcjellë në Twitter lajmin sipas së cilit Pep jo vetëm që ka takuar drejtuesit e Juventusit, por ka pranuar të marrë përsipër edhe stafetën e lënë nga Massimigliano Allegri duke rënë dakord për një kontratë 4-vjeçare.
Ky lajm bie ndesh me atë të raportuar të marten ku thuhej se Manchester City i kishte ofruar Guardiolës një kontratë të re me një pagë prej 22 milionë eurosh në sezon. Por paratë mund të mos jenë gjithçka. Arsyeja se pse Pep mund të ketë vendosur për të lëvizur, sipas Gennarellit lidhet me suksesin e munguar që katalani ka patur në Champions League. Që pas largimit nga Barcelona ai nuk ia ka dale ta ngre më trofeun prestigjioz të kontinentit. Fakti se Juventusi ka të njëjtin oreks për sukses sikurse Pep Guardiola, sipas gazetarit të Radio-Sportiva, ka bërë që palët të jenë në sintoni. Nëse gjithçka rezulton e vërtetë Pep Guardiola mund të bëhet i vetmi trajner që ka mundur të drejtojë në karrierë si Lionel Messin po ashtu edhe Cristiano Ronaldon.