Pavard flet për Bayern, e cilëson si klubin më të mirë në botë

Sport

paard.jpg

Benjamin Pavard do të jetë transferimi i parë i madh i Bayern Munich gjatë merkatos së ardhshme verore, me bavarezët që lajmëruan blerjën e tij rreth një muaj më parë. Kampioni i botës është intervistuar së fundi pikërisht në lidhje me aventurën e re që ai do të nisë tek bavarezët sezonin e ardhshëm. Pavard ka zbuluar se dëshira për të luajtur me fanellën e Bayern ka lindur që vitin e kaluar, përpara se të shkonte në botëror, teksa kishte ndjerë një atmosferë të jashtëzakonshme në ‘Allianz Arena’, ku kishte shkuar të sfidonte bavarezët me ekipin e tij aktual, Stuttgart.
“Mendoj se momenti kyç që më bëri të merrja këtë vendim ishin ato minuta në tunelin e stadiumit të tyre. Aty më lindi dëshira e madhe që një ditë të isha pjesë e Bayern. Më pëlqen Gjermania dhe dëshiroja të qëndroja këtu. Tek Bayern shoh klubin më të mirë në botë, ndaj për mua çdo ishte siç e dëshiroja.”
Pas paraqitjeve të jashtëzakonshme që Pavard zhviloi në botërorin e Rusisë, një sërë skuadrash ishin gati të bënin gjithçka për të patur pjesë të organikës së tyre mbrojtësin 22-vjeçar. Mirëpo duket se rol të rëndësishëm në vendimin e tij ka patur edhe vetë dëshira e Pavard, që zgjodhi të pranonte ofertën e Bayern. Kampionët në fuqi të Gjermanisë do t’i paguajnë Stuttgartit në qershor 35 milionë euro, për të finalizuar kalimin e francezit në ‘Allianz Arena’.